Alban Kastrati

DUA TE BEHEM BLOGGER

In Uncategorized on November 25, 2008 at 5:03 pm

E kam një ide dhe dua ta ndajë më të tjerët. Atëherë do ta krijojë një blog. Është falas.

Ju sigurisht e keni dëgjuar fjalën blog, apo ndoshta edhe e keni hapur një faqe të tillë. Mirëpo, çka është rëndësia e blogut, dhe a të nevojitet edhe ty një i tillë.

Sigurisht se kur mendoni për blog, menjëherë ju shkon mendja tek lajmi, dhe publikuesi i atij lajmi (kush e prodhon atë lajm). Fillimisht do ta bënim dallimin mes lajmit të zakonshëm, të cilin ne e lexojmë ose e shohim çdo ditë në kanalet e ndryshme mediale tek ne, dhe në anën tjetër se si bëhet përmes blogut.

Kur lajmi ndodh, redaktorët e gazetës, televizionit ose radios vendosin nëse rrëfimi publikohet, për të na mundësuar ose jo neve ta lexojmë.

Mirëpo, kjo tashmë është formë e përgjithshme, e kufizuar dhe tradicionale e publikimit të lajmit. P.sh. ne sot lexojmë lajme nga rubrikat e zakonshme në gazetat tona ditore si: politikë, kronikë e zezë, nacionale, sport apo edhe lajme nga kultura.

Çka nëse ti ke një interes të ndryshëm nga këto rubrika? Lajmi përveç formës profesionale tashmë ka marrë edhe interesa personale.

Përmes një blogu, tani ne të gjithë jemi gazetarë dhe publicistë, pa paguar asgjë. Nëse dëshirojmë të dalim nga temat që shtjellojnë mediat tona, neve na duhet një blog.

Psh. Nëse unë kam hapur një biznes të vogël për pastrimin e shtëpive, dhe më duhet të flas për përfitimin që merr rrethina nga ky biznes me shërbime jo aq të shtrenjta, këtë lajm nuk mund ta dërgoj për publikim në gazetë pasi që ndoshta nuk është shumë interesant për tërë vendin, mirëpo mund të jetë i domosdoshëm për lagjen dhe rrethinën e afërt.

Apo, jam një mësues i gjuhës angleze dhe se dua tu’a mësojë fëmijëve të çerdhes së qytetit anglishten, falas. Apo ndoshta jam një lojtar futbolli dhe dua të kontaktoj me tifozët e qytetit.

Neve na duhet ti shpërndajmë informatat dhe lajmet mes veti, qofshin ato edhe tema lokale, personale, apo organizime të një komuniteti më të ngushtë. Ne mund ta krijojmë një blog. 

Dhe tani që blogs po bëhen të popullarizuar ne të gjithë do të kemi mundësinë të shkruajmë për tema të ndryshme, duke çliruar imagjinatën tonë për çështjet me interes për ne, e mbase edhe do të gjenerojmë një audiencë e cila nuk do të jetë aq e kufizuar sa është tani me gazetat, revistat apo televizionet tona kombëtare.

Përveç se unë shkruaj për një interes, pasion apo dëshirë – këtë lajm e ndaj me lexuesit apo edhe ndoshta këtë lajm mund ta lexojnë njerëzit që kanë interesa të ngjashme.

Lehtësisht e krijojmë një komunitet, pa pasur nevojë për aprovime redaktorësh dhe lektorim të shumëfishtë. Në këtë komunitet unë mund të shndërrohem në blogger apo të mbes vetëm lexues, të citoj çka të tjerët shkruajnë për temat që janë me interes të shtuar për mua, apo dhe të marrë iniciativën bashkë me të tjerët dhe të shndërrohem në bashkë-autorë me bloggerët më interesant.

Kur të kem një blog personal unë do të motivohem dhe do të shkruaj për mua, për rrethinën, dhe për të tjerët që më rrethojnë mua. Idetë dhe iniciativat tona të përbashkëta ndoshta na ndihmojnë që ne të aktivizohemi dhe të komunikojmë më lirshëm mes veti, me qëllim – realizimin e ideve të përbashkëta, duke e shfrytëzuar këtë formë revolucionare të komunikimit mes nesh.

 


 

 

 

Të “lidhemi seriozisht” me internetin

In Uncategorized on August 12, 2010 at 12:11 pm

Edhe pse shpesh thuhet se ndikimi i internetit është më i madh në argëtimin e njerëzve, e më i vogël në zhvillimin ekonomik të një vendi në tranzicion, kjo mund të mos jetë edhe gjithaq e saktë.

Përfitimi i shoqërisë kosovare mund të jetë i shumëfishtë, nëse kjo e fundit “lidhet seriozisht” me internetin. Më konkretisht, interneti mund të na shërbejë për avancimin e prioriteteve tona sociale, siç mund të jenë: edukimi, punësimi, parandalimi i emigrimit, zhvillimi i fshatrave apo edhe mbrojtja e ambientit.

Nëse dëshirojmë ta eksploatojmë pak më shumë internetin për qëllime edukimi, pa dyshim se njëra nga zgjidhjet e thjeshta që ofrohet është mësimdhënia nga distanca të ndryshme gjeografike, e cila mund të realizohet përmes lidhjes online, ndërsa mësimdhënia mund të shpërndahet në kohë reale në më shumë se një klasë ose shkollë të vendit.

Në Tajlandë, raporti mes një mësuesi të gjuhës angleze dhe nxënësve është 1:628, dhe i njëjti medoemos krijon një nevojë për aplikimin e këtyre metodave të mësimit. Ne gjithsesi mund ta rrisim kualitetin e arsimit në Kosovë duke përdorur leksionet online, studimin elektronik, ose edhe krijimin e ambienteve tjera të studimit elektronik, të cilat nxënësit mund t’i ndjekin pas orarit mësimor.

Këtyre ditëve, ish-shefi i Microsoft – Bill Gates,  tha se universiteti më i mirë në botë “është krijuar në internet”, dhe se ligjëratat më të mira në botë gjenden online.

Në një studim të Boston Consulting Group, thuhet se format e ngjashme të studimit kanë dëshmuar se ndikojnë pozitivisht në lindjen e kureshtjes dhe nevojës për më shumë dije, si dhe për krijimin e një sistemi të mësimit me përkrahjen e moshatarëve.

Për më tepër, disa nga shtetet e rajonit sot kanë krijuar profesione dhe vende të reja të punës të cilat kryesisht ndodhin online, pa dallim nëse ato punë kryhen nga fshati ose qyteti, duke ofruar kështu një perspektivë të re për të rinjtë, të cilët synojnë të emigrojnë ose t’ia mësyjnë qyteteve më të mëdha.

Edhe efektet pak më direkte të cilat i sjell komunikimi me internet, të tilla si reduktimi i numrit të udhëtimeve, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit. Nëse numri i udhëtimeve bie vetëm për 10 për qind, kjo do të çojë në kursime të konsiderueshme të karburanteve, uljen e numrit të aksidenteve, si dhe përmirësimin e mjedisit për shkak të shpenzimit të reduktuar të CO2.

Para vitit 2020, konsiderohet se interneti mund të rrisë edhe të hyrat nga tatimet e shtetit deri në 5 për qind. Jo domosdoshmërisht vetëm përmes ofruesve të shërbimeve të internetit, por më shumë prej ndërmarrjeve të vogla e të mëdha në një vend, të cilat kryejnë më shumë shërbime duke e përdorur më shumë internetin.

Nga regjioni i Ballkanit këtë fakt mirë e ka kuptuar Mali i Zi, vend ky në të cilin interneti përdoret nga pothuajse çdo i dyti qytetar, ose më saktë – prej 100 banorëve, 42.8 për qind e tyre e përdorin internetin (294 mijë banorë në total). Shembull edhe më të mirë se kaq na jep Sllovenia, ku nga 100 banorë, 55.8 për qind e tyre e përdorin internetin (Slo. gjithsejtë 1,125,673 banorë /Eurostat, 2008).

Përfundimisht, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta kuptojmë drejt se lidhja jonë me botën duhet të jetë më dinamike dhe e domosdoshme për të gjithë, mirëpo gjithçka në kuptim kualitativ për të nxjerr më të mirën prej kësaj teknologjie e cila mund të na integrojë me pjesën e zhvilluar të Evropës. Në të kundërtën, ne do të mbesim vetëm disa evropian të rinj, me shprehi të vjetra dhe larg asaj që mund të ishim me të vërtetë.

* Shkrimi është botuar sot në gazetën Zëri, shtojca e teknologjisë KLIK (12 Gusht 2010)

KOSOVA, DASHURIA DHE SAATCHI & SAATCHI !

In Marketing and Advertising on July 27, 2009 at 2:24 pm

Qeveria jonë ka vendosur që të promovojë shtetin e Kosovës në botë, përmes reklamimit në mediat ndërkombëtare përmes një fushate mediale e cila po na kushton rreth 6 milionë euro. Agjencia e përzgjedhur Saatchi & Saatchi, franshiza e saj në Izreal (e njohur si Bauman ber Rivnay) në një prezantim para mediave vendore ka premtuar se Kosovën do ta prezantojë si  një “simbol dashurie” term ky i njohur në industrinë e reklamimit si – Lovemark . Për të gjithë adhuruesit e reklamave të cilat të argëtojnë, ndoshta ky do të ishte një lajm interesant. Ndërsa, ne të tjerët të cilët Kosovën e kemi të vetmin “simbol dashurie” kemi ende shumë pyetje për të bërë.

A është gati Kosova si produkt për t’u reklamuar? Cilin e kemi treg të synuar? Cilat vlera do t’ia komunikojmë publikut ndërkombëtarë? A është kjo strategjia në të cilën duhet t’i shpenzojmë këto para? Cili është perceptimi aktual i atyre të cilët ne po i ftojmë ta kenë shtetin tonë – simbolin e tyre të dashurisë? A është Saatchi & Saatchi Izrael agjenci kompetente për ta bërë reklamimin e Kosovës? Kush do ta vlerësojë punën e agjencisë? Kush do të kujdeset që objektivat e komunikimit të arrihen? Dhe shumë pyetje të cilat kanë nevojë për përgjigjëje.

Kosova, the brand – simbol dashurie. Pikëpyetje!

Një brend mban së paku dy elemente pas vetes – një emër,  dhe perceptimin se çka në të vërtetë nënkupton ky emër.  Por gjithashtu, ky brend domosdoshmërisht përmban edhe disa vlera me të cilat dallohet nga të tjerët, vlera këto të cilat janë esenciale për një produkt të mirë, i cili të ofron një përvojë të shkëlqyeshme gjatë konsumit.

Kosova është ende në fazën fillestare të krijimit të identitetit të vet. Nga të gjitha elementet e një brendi, në këtë fazë të zhvillimit shteti ynë e ka vetëm emrin dhe risinë e shtetësisë brenda vetes. Produkti ynë ende nuk është i gatshëm për tu bërë Lovemark, e aq më pak për një treg konkurrues si shtetet të cilat sot reklamohen në CNN, WSJ, The Economist, Foreign Affairs dhe mediat tjera globale.

Kosova jonë – Është vetëm një produkt në proces të ndërtimit, i pa-testuar mirë, por me potencial të krijimit funksional pas një periudhe të mëvonshme.( Vetëm një vjet shtet, pa infrastrukturë ligjore dhe pa kufij të definuar). Ky produkt ende nuk është i paketuar mirë. (Vetëm para pak kohësh kemi filluar të ndërtojmë rrugët, ndërsa rryma ende nuk është stabile). Pa pika të shumta distribuimi (Me përfaqësi të pakta diplomatike, dhe pa ambasadorë të shumtë të këtij brendi).

Përfundimisht na duhet edhe pak kohë për tu plasuar në tregun rajonal, ndërsa edhe më shumë kohë përgatitje për tu ‘shitur’ në tregun ndërkombëtarë. Nëse kemi vendosur gjithsesi të jemi prezent në mediat ndërkombëtare, atëherë duhet të jemi të kujdesshëm se çka do ti komunikojmë botës. Ndërsa, ideja për Lovemark për rastin tonë nuk është aspak e qëlluar.

Lovemark vs. Promovimi i investimeve!

Në vend të tentativës për të krijuar Kosovën si simbol dashurie për qytetarët e botës, ne ndoshta duhet të bëhemi më realist dhe të themi se kjo strategji në këtë moment nuk na duhet. Sot, Kosova nuk është Parisi, Nju Jorku e as Londra, vende ku njerëzit ëndërrojnë të shkojnë të paktën edhe për një ditë të vetme, të cilën nuk do ta harrojnë kurrë.

Kosova është ndryshe.

Kosova është risi për botën, duke qenë shteti më i ri në botë. Kosova është e freskët dhe optimiste për zhvillimin. Kosova është populli me 70 për qind të njerëzve nën moshën 35 vjeç. Fëmiu më i ri i botës gjendet në pozitë të mirë gjeografike duke qenë afër Evropës. Mirëpo, elementi që mungon këtu është perceptimi se vendi ynë është lokacion atraktiv për investime.

Ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës ndoshta edhe do të na bënte Lovemark, mirëpo për nja 20 vitet e ardhshme. Sot, Lovemark nuk jemi. Edhe si të tillë nuk duhet të prezantohemi para botës. Askush nuk do të na besonte. Sot, duhet ta bëjmë atë që momentalisht po e bën edhe Maqedonia duke e promovuar vendin e vet si atraktiv për investime të huaja, dhe jo si vend ku duhet ti kaloni pushimet tuaja verore.

Reklama e Kosovës në mediat ndërkombëtare do të duhej ti thotë Amerikës, Azisë dhe Evropës Korporative që nëse vini  në Kosovë, mund edhe të përfitoni Ti themi që në Kosovë kemi industri të pa-prekura ku ju mund të bëheni lider. Ti themi që në Kosovë çdo vit tregu i punës prodhon 35.000 njerëz në vit, të cilët mund ti paguani më pak se në Evropë. Ti themi se mund të jemi atraktiv, si produkt i legjislaturës liberale evropiane të cilën po e ndërtojmë.

Përfundimisht, ne duhet ta ndërtojmë një rrëfim atraktiv për vendin tonë. Ne duhet ti paraqesim botës një prezantim emocional dhe unik për vendin tonë, përmes reklamave. Ne jemi vend i vogël, dhe nëse rrëfimi ynë medial para qindra milionë shikuesve dhe lexuesve bëhet si duhet, ne mund ta bëjmë një grup të vogël dhe kualitativ investitorësh të dijë më shumë për ne dhe të na besojë.

Por, a do të bëhet kjo?

Përgjigja, shumë lehtë mund të jetë: JO. Bauman ber Rivnay apo Saatchi & Saatchi Izrael ka zgjedhur të thotë se Kosova është simbol dashurie, duke ndjekur suksesin që e ka pasur fushata e famshme – I Love New York, të cilët nuk e ka punuar Saatchi & Saatchi Izrael, siç është prezantuar para opinionit kosovar. Ata që bënë përzgjedhjen e agjencisë izraelite duhet ta bëjnë dallimin mes grupit të agjencive, vetë agjencisë dhe degëve të saj nëpër botë.

Saatchi & Saatchi është një agjenci ndërkombëtare e marketingut, e cila i është bashkëngjitur agjencive tjera, ndërsa të gjitha së bashku janë nën ombrellën e grupit Publicis, me seli në Paris. Në ranglistën e grupeve më të mëdha të agjencive për vitin 2008, Publicis Group renditet e katërta në listë. Gjithsesi Publicis Group është një grup i madh, mirëpo jo më i madhi, dhe jo më i miri. Ndërsa, Saatchi & Saatchi Izrael janë shumë të vegjël dhe të pa-vërejtshëm brenda rrjetit të tyre.

Nëse e shohim portfolion e Bauman ber Rivnay apo Saatchi & Saatchi Izrael  do ta kuptojmë që Kosova është projekti i tyre më i madh që e kanë bërë ndonjëherë. Vlen të përmendet se përveç Procter & Gamble si klient të trashëguar nga grupi, ata si klient të tyre kanë një ofrues të shërbimeve të internetit, dhe një prodhues barnash.