Alban Kastrati

Të “lidhemi seriozisht” me internetin

In Uncategorized on August 12, 2010 at 12:11 pm

Edhe pse shpesh thuhet se ndikimi i internetit është më i madh në argëtimin e njerëzve, e më i vogël në zhvillimin ekonomik të një vendi në tranzicion, kjo mund të mos jetë edhe gjithaq e saktë.

Përfitimi i shoqërisë kosovare mund të jetë i shumëfishtë, nëse kjo e fundit “lidhet seriozisht” me internetin. Më konkretisht, interneti mund të na shërbejë për avancimin e prioriteteve tona sociale, siç mund të jenë: edukimi, punësimi, parandalimi i emigrimit, zhvillimi i fshatrave apo edhe mbrojtja e ambientit.

Nëse dëshirojmë ta eksploatojmë pak më shumë internetin për qëllime edukimi, pa dyshim se njëra nga zgjidhjet e thjeshta që ofrohet është mësimdhënia nga distanca të ndryshme gjeografike, e cila mund të realizohet përmes lidhjes online, ndërsa mësimdhënia mund të shpërndahet në kohë reale në më shumë se një klasë ose shkollë të vendit.

Në Tajlandë, raporti mes një mësuesi të gjuhës angleze dhe nxënësve është 1:628, dhe i njëjti medoemos krijon një nevojë për aplikimin e këtyre metodave të mësimit. Ne gjithsesi mund ta rrisim kualitetin e arsimit në Kosovë duke përdorur leksionet online, studimin elektronik, ose edhe krijimin e ambienteve tjera të studimit elektronik, të cilat nxënësit mund t’i ndjekin pas orarit mësimor.

Këtyre ditëve, ish-shefi i Microsoft – Bill Gates,  tha se universiteti më i mirë në botë “është krijuar në internet”, dhe se ligjëratat më të mira në botë gjenden online.

Në një studim të Boston Consulting Group, thuhet se format e ngjashme të studimit kanë dëshmuar se ndikojnë pozitivisht në lindjen e kureshtjes dhe nevojës për më shumë dije, si dhe për krijimin e një sistemi të mësimit me përkrahjen e moshatarëve.

Për më tepër, disa nga shtetet e rajonit sot kanë krijuar profesione dhe vende të reja të punës të cilat kryesisht ndodhin online, pa dallim nëse ato punë kryhen nga fshati ose qyteti, duke ofruar kështu një perspektivë të re për të rinjtë, të cilët synojnë të emigrojnë ose t’ia mësyjnë qyteteve më të mëdha.

Edhe efektet pak më direkte të cilat i sjell komunikimi me internet, të tilla si reduktimi i numrit të udhëtimeve, mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit. Nëse numri i udhëtimeve bie vetëm për 10 për qind, kjo do të çojë në kursime të konsiderueshme të karburanteve, uljen e numrit të aksidenteve, si dhe përmirësimin e mjedisit për shkak të shpenzimit të reduktuar të CO2.

Para vitit 2020, konsiderohet se interneti mund të rrisë edhe të hyrat nga tatimet e shtetit deri në 5 për qind. Jo domosdoshmërisht vetëm përmes ofruesve të shërbimeve të internetit, por më shumë prej ndërmarrjeve të vogla e të mëdha në një vend, të cilat kryejnë më shumë shërbime duke e përdorur më shumë internetin.

Nga regjioni i Ballkanit këtë fakt mirë e ka kuptuar Mali i Zi, vend ky në të cilin interneti përdoret nga pothuajse çdo i dyti qytetar, ose më saktë – prej 100 banorëve, 42.8 për qind e tyre e përdorin internetin (294 mijë banorë në total). Shembull edhe më të mirë se kaq na jep Sllovenia, ku nga 100 banorë, 55.8 për qind e tyre e përdorin internetin (Slo. gjithsejtë 1,125,673 banorë /Eurostat, 2008).

Përfundimisht, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse ta kuptojmë drejt se lidhja jonë me botën duhet të jetë më dinamike dhe e domosdoshme për të gjithë, mirëpo gjithçka në kuptim kualitativ për të nxjerr më të mirën prej kësaj teknologjie e cila mund të na integrojë me pjesën e zhvilluar të Evropës. Në të kundërtën, ne do të mbesim vetëm disa evropian të rinj, me shprehi të vjetra dhe larg asaj që mund të ishim me të vërtetë.

* Shkrimi është botuar sot në gazetën Zëri, shtojca e teknologjisë KLIK (12 Gusht 2010)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: