Alban Kastrati

KOSOVA, DASHURIA DHE SAATCHI & SAATCHI !

In Marketing and Advertising on July 27, 2009 at 2:24 pm

Qeveria jonë ka vendosur që të promovojë shtetin e Kosovës në botë, përmes reklamimit në mediat ndërkombëtare përmes një fushate mediale e cila po na kushton rreth 6 milionë euro. Agjencia e përzgjedhur Saatchi & Saatchi, franshiza e saj në Izreal (e njohur si Bauman ber Rivnay) në një prezantim para mediave vendore ka premtuar se Kosovën do ta prezantojë si  një “simbol dashurie” term ky i njohur në industrinë e reklamimit si – Lovemark . Për të gjithë adhuruesit e reklamave të cilat të argëtojnë, ndoshta ky do të ishte një lajm interesant. Ndërsa, ne të tjerët të cilët Kosovën e kemi të vetmin “simbol dashurie” kemi ende shumë pyetje për të bërë.

A është gati Kosova si produkt për t’u reklamuar? Cilin e kemi treg të synuar? Cilat vlera do t’ia komunikojmë publikut ndërkombëtarë? A është kjo strategjia në të cilën duhet t’i shpenzojmë këto para? Cili është perceptimi aktual i atyre të cilët ne po i ftojmë ta kenë shtetin tonë – simbolin e tyre të dashurisë? A është Saatchi & Saatchi Izrael agjenci kompetente për ta bërë reklamimin e Kosovës? Kush do ta vlerësojë punën e agjencisë? Kush do të kujdeset që objektivat e komunikimit të arrihen? Dhe shumë pyetje të cilat kanë nevojë për përgjigjëje.

Kosova, the brand – simbol dashurie. Pikëpyetje!

Një brend mban së paku dy elemente pas vetes – një emër,  dhe perceptimin se çka në të vërtetë nënkupton ky emër.  Por gjithashtu, ky brend domosdoshmërisht përmban edhe disa vlera me të cilat dallohet nga të tjerët, vlera këto të cilat janë esenciale për një produkt të mirë, i cili të ofron një përvojë të shkëlqyeshme gjatë konsumit.

Kosova është ende në fazën fillestare të krijimit të identitetit të vet. Nga të gjitha elementet e një brendi, në këtë fazë të zhvillimit shteti ynë e ka vetëm emrin dhe risinë e shtetësisë brenda vetes. Produkti ynë ende nuk është i gatshëm për tu bërë Lovemark, e aq më pak për një treg konkurrues si shtetet të cilat sot reklamohen në CNN, WSJ, The Economist, Foreign Affairs dhe mediat tjera globale.

Kosova jonë – Është vetëm një produkt në proces të ndërtimit, i pa-testuar mirë, por me potencial të krijimit funksional pas një periudhe të mëvonshme.( Vetëm një vjet shtet, pa infrastrukturë ligjore dhe pa kufij të definuar). Ky produkt ende nuk është i paketuar mirë. (Vetëm para pak kohësh kemi filluar të ndërtojmë rrugët, ndërsa rryma ende nuk është stabile). Pa pika të shumta distribuimi (Me përfaqësi të pakta diplomatike, dhe pa ambasadorë të shumtë të këtij brendi).

Përfundimisht na duhet edhe pak kohë për tu plasuar në tregun rajonal, ndërsa edhe më shumë kohë përgatitje për tu ‘shitur’ në tregun ndërkombëtarë. Nëse kemi vendosur gjithsesi të jemi prezent në mediat ndërkombëtare, atëherë duhet të jemi të kujdesshëm se çka do ti komunikojmë botës. Ndërsa, ideja për Lovemark për rastin tonë nuk është aspak e qëlluar.

Lovemark vs. Promovimi i investimeve!

Në vend të tentativës për të krijuar Kosovën si simbol dashurie për qytetarët e botës, ne ndoshta duhet të bëhemi më realist dhe të themi se kjo strategji në këtë moment nuk na duhet. Sot, Kosova nuk është Parisi, Nju Jorku e as Londra, vende ku njerëzit ëndërrojnë të shkojnë të paktën edhe për një ditë të vetme, të cilën nuk do ta harrojnë kurrë.

Kosova është ndryshe.

Kosova është risi për botën, duke qenë shteti më i ri në botë. Kosova është e freskët dhe optimiste për zhvillimin. Kosova është populli me 70 për qind të njerëzve nën moshën 35 vjeç. Fëmiu më i ri i botës gjendet në pozitë të mirë gjeografike duke qenë afër Evropës. Mirëpo, elementi që mungon këtu është perceptimi se vendi ynë është lokacion atraktiv për investime.

Ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës ndoshta edhe do të na bënte Lovemark, mirëpo për nja 20 vitet e ardhshme. Sot, Lovemark nuk jemi. Edhe si të tillë nuk duhet të prezantohemi para botës. Askush nuk do të na besonte. Sot, duhet ta bëjmë atë që momentalisht po e bën edhe Maqedonia duke e promovuar vendin e vet si atraktiv për investime të huaja, dhe jo si vend ku duhet ti kaloni pushimet tuaja verore.

Reklama e Kosovës në mediat ndërkombëtare do të duhej ti thotë Amerikës, Azisë dhe Evropës Korporative që nëse vini  në Kosovë, mund edhe të përfitoni Ti themi që në Kosovë kemi industri të pa-prekura ku ju mund të bëheni lider. Ti themi që në Kosovë çdo vit tregu i punës prodhon 35.000 njerëz në vit, të cilët mund ti paguani më pak se në Evropë. Ti themi se mund të jemi atraktiv, si produkt i legjislaturës liberale evropiane të cilën po e ndërtojmë.

Përfundimisht, ne duhet ta ndërtojmë një rrëfim atraktiv për vendin tonë. Ne duhet ti paraqesim botës një prezantim emocional dhe unik për vendin tonë, përmes reklamave. Ne jemi vend i vogël, dhe nëse rrëfimi ynë medial para qindra milionë shikuesve dhe lexuesve bëhet si duhet, ne mund ta bëjmë një grup të vogël dhe kualitativ investitorësh të dijë më shumë për ne dhe të na besojë.

Por, a do të bëhet kjo?

Përgjigja, shumë lehtë mund të jetë: JO. Bauman ber Rivnay apo Saatchi & Saatchi Izrael ka zgjedhur të thotë se Kosova është simbol dashurie, duke ndjekur suksesin që e ka pasur fushata e famshme – I Love New York, të cilët nuk e ka punuar Saatchi & Saatchi Izrael, siç është prezantuar para opinionit kosovar. Ata që bënë përzgjedhjen e agjencisë izraelite duhet ta bëjnë dallimin mes grupit të agjencive, vetë agjencisë dhe degëve të saj nëpër botë.

Saatchi & Saatchi është një agjenci ndërkombëtare e marketingut, e cila i është bashkëngjitur agjencive tjera, ndërsa të gjitha së bashku janë nën ombrellën e grupit Publicis, me seli në Paris. Në ranglistën e grupeve më të mëdha të agjencive për vitin 2008, Publicis Group renditet e katërta në listë. Gjithsesi Publicis Group është një grup i madh, mirëpo jo më i madhi, dhe jo më i miri. Ndërsa, Saatchi & Saatchi Izrael janë shumë të vegjël dhe të pa-vërejtshëm brenda rrjetit të tyre.

Nëse e shohim portfolion e Bauman ber Rivnay apo Saatchi & Saatchi Izrael  do ta kuptojmë që Kosova është projekti i tyre më i madh që e kanë bërë ndonjëherë. Vlen të përmendet se përveç Procter & Gamble si klient të trashëguar nga grupi, ata si klient të tyre kanë një ofrues të shërbimeve të internetit, dhe një prodhues barnash.

Leave a comment